Kampioni në Evropë mbetet Norvegjia, që zë vendin e tretë në të gjithë botën pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar, shitjet e veturave elektrike në Norvegji u rritën me 40%, duke numrin e veturave të kësaj kategorie në 31% të totalit

Konvertimi në vetura elektrike, do të kthehet në një luftë për mbijetesë së shpejti për prodhuesit e automjeteve në të gjithë botën. Në shfaqjet e veturave në Detroit, Gjenevë dhe Shangai, të gjithë përfaqësuesit e kompanive, bënë të ditur plane për të shtuar modelet elektrike te markat respektive. Pavarësisht se i ulët në përqindje ndaj totalit të veturave, numri i automjeteve elektrike apo hibride po vjen gjithnjë e në rritje.

Sipas Eurostat, në vitin 2017, kishte 262 milionë vetura të regjistruara në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Prej tyre, rreth 2 milionë, apo 0.8%, ishin elektrike apo hibride, që mund të ecin kombinuar me një motor benzine ose nafte. Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të qëndrueshme të numrit të veturave elektrike dhe hibride të regjistruara në Bashkimin Evropian. Në veçanti, numri i veturave hibride me benzinë në vitin 2017, në 1.5 milionë, ishte thuajse 7 herë më i madh krahasuar me 2013-ën, në 200 mijë. Ndër vendet anëtare, Suedia zë vendin e parë të veturave elektrike apo hibride, në 2.4% të totalit. Polonia ndjek me 1.9%, ndërsa norma në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Belgjikë, shënon 1.5%, 1.4% dhe 1.2% në mënyrë respektive.

Megjithatë, kampioni në kontinent mbetet Norvegjia, që zë vendin e tretë në të gjithë botën pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar, shitjet e veturave elektrike në Norvegji u rritën me 40%, duke numrin e veturave të kësaj kategorie në 31% të totalit. Nëse ky trend vazhdon në vitin 2019, më shumë se gjysma e veturave të reja do të jenë elektrike dhe Qeveria do të jetë më pranë objektivit për të konvertuar të gjithë automjetet e reja në elektrike deri në vitin 2025.

Në ndërkohë, vitin e kaluar, në Evropë janë shitur 15.6 milionë vetura, pothuajse identike me vitin 2017, por raporti i fuqisë për nga ana e popullaritetit po ndryshon. Pjesën më të madhe të “tortës” e mbajnë veturat me motorë benzinë që përbëjnë 57 % të shitjeve të të gjitha automjeteve në Evropë, pasuar nga ato me motorë naftë, që kishin shitje 5.59 milionë, ose 18 % më pak në krahasim me vitin e kaluar. Nga ana tjetër, veturat në version hibrid, hibrid plug-in dhe elektrike (EV) përbëjnë 6.1 për qind të tregut me 994.800 njësi të shitura.

Më të popullarizuarit janë versionet hibride me 555,000 njësi të shitura, që është një rritje prej 24 %, por rritja më e madhe në shitje u regjistrua nga automjetet tërësisht elektrike. Në 2018-ën, 195.000 veturat elektrike (EV) u shitën në “Kontinentin e Vjetër”, që është një rritje prej 47 % në shitje.