Sharon Stone që ka mbi tre dekada karrierë në aktrim ka vendosur që të kthehet prapa në kohë në rolin me të cilin nisi gjithçka.

Ajo së fundmi ka realizuar një fotosesion ku e ka rikrijuar pozën e saj ikonike nga filmi “Basic Instinct”.

Aktorja 61 vjeçare ka pozuar gjysmë e zhveshur për revistën “Vogue” të Portugalisë ku shihet e ulur në tavolinë me këmbët e saj shumë të hapura duke na rikujtuar kështu skenën e famshme dhe të nxehtë –  të marrjes në pyetje – në filmin e vitit 1992.

Stone në intervistën dhënë kësaj reviste ka zbuluar se ajo duhej ta krijonte imazhin e saj si ‘seks simbol’ në mënyrë që të ishte një aktore Hollywoodi.

Ajo ka shpjeguar se si e “planifikoi në mënyrë strategjike” një fotosesion me revistën e njohur “Playboy” pikërisht në kohën kur filmi i saj “Total Recall” u publikua në vitin 1990.

“Kur unë e nisa rrugëtimin në botën e aktrimit, mund të të ofrohej një rol vetëm nëse konsiderohej se ishe seksi. Drejtuesit e kompanisë uleshin rreth një tavoline të madhe dhe diskutonin nëse secila prej nesh ishte ose jo mjaftueshëm seksi”.

“Ata menduan se unë nuk isha seksi. U mendova shumë gjatë se çfarë të bëj pasi unë doja të isha aktore, prandaj e planifikova me strategji një fotosesion ku isha gjysmë e zhveshur për “Playboy”. A i përshtatetsha rolit? Pa dyshim që jo. A e përdora trurin që të dukesha seksi? Pa dyshim që po. Por, unë nuk ndjehesha dhe nuk ndihem një seks simbol”, ka thënë ajo për revistën.

Fotografitë që ajo i realizoi për revistën ikonike “Playboy” menjëherë i sollën aktores më shumë role derisa shumë pak kohë më vonë ajo ishte pjesë e audicionit për rolin në “Basic Instinct” – rol që paraprakisht u refuzua nga Michelle Pfeiffer dhe Demi Moore.

Derisa rikujton këtë film, Stone thotë se është lodhur duke folur për këtë skenë që padyshim se mbahet mend nga të gjithë.

“Unë e shoh si një skenë të një filmi që e kam realizuar para 25 vjetësh. Secili njeri ka perspektivën e tij”, ka thënë ajo për skenën ‘e nxehtë’ që në atë kohë kishte nxitur shumë reagime.

Sharon Stone që është nënë e tre fëmijëve u bë një aktore shumë e njohur e Hollywoodit pas këtij roli derisa më vonë u nominua për çmimin Oscar për rolin në “Casino” në vitin 1995.