Kandidatja për presidente e Komisionit Europian, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen ka premtuar mbështetjen e saj për hapjen e negociatave të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Von der Leyen prej kohësh mbështet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian dhe këtë e ka konfirmuar së fundmi edhe për televizionin maqedonas Telma ku ka thënë se do të vazhdojë me politikën e zgjerimit të BE.

Hapja e bisedimeve të pranimit në BE me Shkupin dhe Tiranën u rekomandua nga Komisioni i kryesuar nga Jean-Claude Juncker si këtë vit ashtu edhe në vitin 2018, por Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi të shtyjë vendimin për në tetor ku me shumë mundësi të dy këto vende do të marrin dritën jeshile drejt anëtarësimit.