Nga Mero Baze

Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë ulur sot bashkë, herët në mëngjes, për të diskutuar shanset që kanë për t’u bërë zgjedhjet më 13 tetor, sipas një prej propozimeve haluçinante të Ilir Metës, në ditët e tij jo të mira shëndetësore.

Pas  takimit, Basha ka bërë kujdes mos të kuptohet se çfarë mendon, çfarë ka folur dhe çfarë do të bëjë. E vetmja gjë e re ishte se filloi ta përmendë 13 tetorin, si një ngjarje e re politike për opozitën.

Në të vërtetë, juridikisht 13 tetori nuk ekziston. Zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën në paqe në gjithë vendin dhe prodhuan një rezultat që po implementohet.

Përpjekjet e Bashës për të bërë thirrje për rezistencë në disa Bashki që i ka aktulisht PD, janë thjeshtë gënjeshtra të Bashës për njerëzit që ka gënjyer brenda PD-së. Shumë prej vet kryetarëve në detyrë, e dinë që do t’i dorëzojnë bashkitë sapo të trokasin në derë fituesit e rinj. Dhe natyrisht, nuk do të jenë të lumtur për vendimin e Lulzim Bashës.

13 tetori nuk ekziston më as për Ilir Metën, pasi Dekreti i tij për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit është shqyrtuar nga Kolegji Zgjedhor, që është gjykata e vetme në Shqipëri që shqyrton çështjet e zgjedhjeve, dhe është hedhur poshtë. Zgjedhjet i organizon KQZ, dhe jo Presidenca, dhe ato janë kryer.

Kështu që çdo referencë për 13 tetorin, nga pikëpamja juridike, është nul.

Nga pikëpamja politike, 13 tetori është dhe më keq për opozitën. Nëse opozita është gati të hyjë më 13 tetor në zgjedhje, përse nuk hyri më 30 qershor, pasi asgjë nuk do të ndodhë nga 30 qershori më 13 tetor, përveçse PD do të dorëzojë çdo pushtet të saj.

Përpjekja për të krijuar idenë se më 13 tetor do të ketë zhvillime, është vetëm një mënyrë për të shtyrë verën me gënjeshtra, që demokratët të mendojnë se dikush po merret me hallin e tyre.

Zgjedhjet nuk mund të bëhen më, kur do Lulzim Basha dhe Ilir Meta, dhe kjo u provua më 30 qershor. Zgjedhjet bëhen atëhere kur kanë afatin kushtetues, ose kur gjithë palët bien dakord për një zgjidhje të përbashkët.

Nëse Basha e Meta duan një zgjidhje të përbashkët me qeverinë, thjesht duhet të pranojnë që kanë dështuar në betejën e tyre për të destabilizuar institucionin e zgjedhjeve dhe për të futur Shqipërinë në vëllavrasje, dhe t’i kërkojnë qeverisë një tryezë për reforma të thella kushtetuese dhe elektorale, pas të cilave Shqipëria të hyjë në zgjedhje normale.

Kjo është më e lehtë se sa  të hiqesh sikur janë njerëz që ende mund të vendosin diçka në këtë vend.

Kështu siç e përmend Basha, 13 tetori është një datë e re, që e ndihmon atë të thotë gënjeshtra të vjetra. Një datë që i jep dhe tre muaj kohë të gënjejë të vetët dhe të bëjë pushimet rehat.

Pas asaj date, PD-së do t’i duhet, ose një datë e re për të gënjyer Basha demokratët, ose demokratëve një kryetar i ri, për të mos i gënjyer më.