Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi i është kundërpërgjigjur akuzave të sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ku ky i fundit një ditë më parë tha se në Vaun e Dejës është votuar me fletë votimi të falsifikuara.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Skënderi sqaron se akuzat janë të rreme dhe dokumentet vërtetojnë që votime në Vaun e Dejës janë bërë konform ligjit.

“Po ju paraqes disa dokumente që vërtetojnë se fletët e votimit për Bashkinë Vau i Dejës janë prodhuar në Slloveni. Pas djegies së KZAZ në dt 27.06.2019 është kontaktuar direkt me kompaninë sllovene. Fletët e votimit janë prodhuar paraditen e dt.28.06.2019.

Fletët e votimit kanë kaluar pikën e kalimit kufitar rreth orës 1-1.30.,  të mëngjesit të dt 30 qershor

Punonjësit tanë kanë pritur dhe dorëzuar fletët në KZAZ. Shpërndarja e gjithë bazës materiale për KQV ka mbaruar para orës 6.

Të gjitha Qendrat e Votimit kanë qenë të hapura në orën 7.00., sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor! Nesër do publikojmë dhe vërtetimin nga sistemi TIMS se kur ka kaluar makina në PKK Hani i Hotit”, sqaron Skënderi në Facebook.