“Nëse ka një produkt bujqësor “Made in Albania” për të cilin jemi të gjithë krenarë, një markë ekselence që ka kapërcyer tregjet europiane dhe që dominon sot tregun amerikan, ai është sherebeli shqiptar”, – deklaroi sot presidenti i Republikës, Ilir Meta në fjalën e tij në Konferencën e 3-të Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.

Meta u shpreh se, “ky sektor është lokomotiva e eksporteve tona jo vetëm bujqësore”.

Meta u shpreh se, “historia e suksesit të sherebelit dhe të bimëve medicinale shqiptare nuk do të ishte e mundur pa mundin, djersën, dhe punën e palodhur të dhjetëra mijëra fermerëve të zonave të thella të Shqipërisë, të cilët së bashku me angazhimin e grumbulluesve, përpunuesve dhe eksportuesve, kanë një kontribut të rëndësishëm në volumin e eksporteve shqiptare”.

“Produktiviteti dhe konkurrueshmëria e këtij sektori në tregjet ndërkombëtare do të rriteshin edhe më tej duke bërë më shumë për rritjen e kapaciteteve teknologjike për grumbullimin, paketimin, etiketimin dhe sterilizimin”, – tha Meta.

“Pavarësisht se vlera e eksporteve të bimëve mjekësore dhe aromatike ka arritur shifrën e rreth 45 milionë dollarëve për vitin 2018, potenciali i kësaj industrie është shumë më i madh, nëse mbështetet me mekanizmat e duhur incentues”, – theksoi Meta.

Po kështu, presidenti theksoi se, “siguria ushqimore duhet të jetë një prioritet kombëtar që ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe të fëmijëve”.

Në këtë kontekst, nënvizoi ai, “është i pamjaftueshme vetëm denoncimi mediatik i rasteve abuzive, ashtu sikurse mund të jetë fatale për fermerët dhe prodhuesit tanë denigrimi dhe stigmatizimi në tërësi i prodhimeve bujqësore dhe ushqimore shqiptare, që shpesh edhe bëhet qëllimisht nga nxitja që bëjnë importuesit në mediat tona kombëtare. Edhe ndëshkimi me gjobë apo konfiskimi sporadik në rastet e abuzimit janë vetëm zgjidhje të pjesshme dhe momentale. Institucionet përgjegjëse duhet të luajnë një rol më proaktiv rregullator, kontrollor dhe parandalues.