Bindja Demokratik e konsideron jo kushtetues vendimin e presidentit Ilir Meta për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Në një intervistë për Report Tv Astrit Patozi deklaron se forca që ai përfaqëson do të marrë pjesë në zgjedhje në çdo lloj date që ato mund të mbahen.

“Më duhet të sqaroj që ne si Bindje Demokratike që në daljen e saj të parë kemi theksuar se do të marrim pjesë në zgjedhje kur do ato të mbahen, për ne nuk ka rëndësi data. Sot kemi një qëndrim tjetër të presidentit që e konsiderojmë jo kushtetues por më shumë emocional. Tek e fundit nuk ka vlerë opinion ynë sa kohë që në presim të shprehen institucionet. Ne shpresojnë që data 30 qershor mos lëviz. Ne shpresojmë që institucionet të vendosin ndryshe. Ne që ditën e parë kemi qenë të prirur që të marrim pjesë në zgjedhje dhe nëse ka datë tjetër do marrim pjesë”, tha Patozi për Report Tv.

Në deklaratën e tij presidenti Meta e quajti BD një parti fiktive dhe farsë, e regjistruar jashtë afateve ligjore, por Patozi këtë deklaratë e quan një ndjesi personale të kreut të shtetit.

“Qëndrimi i Metës jo racional, në lidhje me regjistrimin e partisë sonë, e konsiderojmë si një ndjesi e tij personale, ne mendojmë që presidenti nuk mund të shprehet emocionalisht, por në bazë të dhënave që ka nga institucionet. Jemi parti e regjistruar në gjykatë, i kemi kaluar të gjitha etapat ligjore të mundshme. Çdo gjë tjetër që thuhet në adresë tonë e nxjerr zbuluar presidentin, në rast se do të ishte përfaqësues i unitetit të popullit siç pretendon nuk mund të shprehë të tilla konsiderata negative për njërën nga partitë që merr pjesë në zgjedhje dhe e ka dekretuar vetë”, tha Patozi.

Për Patozin fajtor për krizën e vendit është sistemi politik i kalbur që sot po mbjell atë që ka korrur në të gjitha këto vite.

“Kriza një korrje e asaj që kanë mbjellur forcat e vjetra politike. Sistemi politik është në grahmat e fundit dhe kjo krizë është shprehja më e qartë. Sot Shqipëria është në këtë pikë për shkak të pazarit të bërë dy vite më parë mes Ramës dhe Bashës që soli konflikt. Zgjidhja e krizë pas mbajtjes së zgjedhjeve me korrektimin dhe formatimin e rendit kushtetues në Shqipëri përmes një marrëveshje që duhet të ndryshojë kushtetutën dhe të shpëtojë sistemin nga kryeatarokracia”, përfundon Patozi.

Përsa i përket vijimit të fushatës elektorale Patozi shprehet se BD vijon normalisht takimet me qytetarët për të shpjeguar alternativën e tyre. Në rast se institucionet do të vendosin që të shtyjnë datën e zgjedhjeve, atëherë BD do të respektojë këtë vendim.