Jeta private e të famshmëve, lidhjet, ndarjet e bashkimet e tyre janë gjithmonë cak i mediave rozë gjithandej, e veçanërisht dekadën e fundit kjo është duke ndodhur edhe në Kosovë. Pra, kush me kë është në lidhje e kush me kë është ndarë ka qenë dhe vazhdon të jetë në interes të masës së gjerë.

Kur flasim për çiftet e estradës shqiptare, duhet theksuar se lidhjeve të gjata u kanë mbijetuar kryesisht ato që bashkimet i patën dekada më parë, kohën kur dashuria ishte në rend të parë, para karrierës e famës.

Ndërsa, se kush janë më të përfolurit dihet, por do të sjellim një listë të disa çifteve që komentohen për lidhjet e shëndosha që kanë.

Nisim me Alban Skenderajn dhe Miriam Canin, të cilët dashurinë e tyre e kurorëzuan me martesë 3 vjet më parë. 

Martesa erdhi pas një lidhjeje shumëvjeçare. Propozimi për të kaluar jetën së bashku, Miriamit i pati ardhur në mënyrë të befasishme dhe shumë të veçantë.

Këtë çifti e pati bërë të ditur në rrjetin social “Facebook”, pasi gjatë asaj kohe ishin duke pushuar në ishujt Maldive. Përveç për lidhjen e tyre të shëndoshë, dyshja nuk ka qenë asnjëherë pjesë e shtypit rozë në raste të tjera. Pos kësaj, Miriami dhe Albani janë prindër të një vajze, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Ameli.

Çiftin tjetër aspak skandaloz e përbëjnë Vesa Luma e Big Basta.

Gjithçka sa i përket lidhjes së tyre filloi të flitej në publik pas lansimit të këngës “Boom” në vitin 2012, për të përfunduar më pas me martesë, një ceremoni kjo shumë private dhe e veçantë, e cila ishte zhvilluar në Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Dashuria e tyre u kurorëzua edhe me ardhjen në jetë të djalit të tyre, Lianit.

Ndryshe, çifti tash e një kohë jeton në distancë dhe kjo për arsye krejt personale. Big Basta aktualisht gjendet në Zelandën e Re derisa Vesa në Kosovë, por as kjo nuk është duke ndikuar në raportin e tyre. Ata përmes fotografive në rrjete sociale shprehin dashurinë e madhe që kanë mes vete.

Ata sollën risi në muzikën shqiptare dhe shumë prej hiteve në muzikën mbarëshqiptare, janë të krijuara nga ta.

Janë Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi, të cilët viteve të fundit nuk kanë qenë fare të pranishëm në skenë, përveç që kanë krijuar muzikë për të tjerët.

Interesimi i mediave për të kuptuar më shumë për jetën e tyre është jashtëzakonisht i madh, por që vendimi i tyre për të qëndruar sa më larg ka bërë informacionet të jenë të pakta. Gjithsesi, çifti e vazhdon jetën të qetë larg mediave dhe publikut.

Në këtë listë hyjnë padyshim edhe Gili e Ilir Berani, duke mos bërë pjesë në skandalet që kanë përfshirë kohë pas kohe shoubizin shqiptar.

Edhe për këtë çift, përveç dashurisë, është muzika që i ka lidhur tërë jetën. Hitet më të mëdha të Gilit kanë ardhur pikërisht nga bashkëshorti i saj, Iliri. 

Këto ishin vetëm disa prej çifteve, që të dy palët janë pjesë e skenës, por pavarësisht kësaj i kanë rezistuar kohës dhe me dashurinë e tyre kanë përballuar gjithçka. Kohëve të fundit, jemi po ashtu dëshmitarë të një numri të madh të ndarjeve, qoftë edhe vetëm pas një viti martese dhe arsyet janë nga më të ndryshmet.