Prej kohësh flitet se brenda opozitës, e cila është paraqitet si e bashkuar, ka pasur përplasje mes tyre. Përplasja ka nisur me 13 tetorin, të cilin LSI-ja e njeh si datë të re zgjedhjesh, e ndërsa PD-ja me në krye Lulzim Bashën nuk e ka pranuar, duke këmbëngulur se nuk futet në zgjedhje pa u larguar Rama. Një gjë e tillë është pranuar, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.

I ftuar në Report Tv, ai tha se opozita do të jetë e bashkuar për aq kohë sa do të jetë Rama në pushtet dhe se pas largimit të tij duhet të riformatohet nga brenda për të larguar “të korruptuar” apo ata që janë konsumuar.

“Opozita për sa kohë që të jetë Rama, do jetë e bashkuar edhe me negativët e tij. Ditën që do rrëzojmë Ramën, që do hapet fusha e lojës, gjykoj që opozita e ka për detyrim që të reflektojë brenda vetes, se si mund të përmirësohet sistemi, sesi duhet të largohen njerëz që janë konsumuar edhe një frontin opozitar. Kur është Rama në pushtet, do mbyllim “sytë”. Nuk na intereson që Rama drejton socialistët, le t’i mbysë në dru, t’i bëjë legena më shumë nga sa i ka bërë, por s’e duam kur drejton Shqipërinë”, tha Shehi.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ndryshe nga aleatët e tjerë të PD-së, ka pranuar se kryedemokrati Basha ka bërë gabim që ka deklaruar se do t’i ndalojë zgjedhjet e 30 qershorit. Në studion e Report Tv, Shehi është shprehur se Basha nuk mund t’i ndalonte zgjedhjet, por e bëri populli duke mos marrë pjesë në votime.

“Basha gabonte kur thoshte se do t’i ndalojmë ne. S’kishte zgjedhje, por vetëm votime. Zgjedhjet i ‘ndaluan’ qytetarët që nuk morën pjesë në zgjedhje. Ato që janë sot në parlament, nuk janë më në opozitë”, tha Shehi.

I pyetur në studion e Report Tv, nëse duhet të jetë Basha ai që drejton aksionin opozitar dhe mes të tjeravce edhe PD-në, Shehi e cilësoi si më të “pranueshmin”.

Shehi: Zoti Basha mund t’i ketë të gjitha defektet e veta, por unë e shikoj brenda harkut opozitar si më të mirin e pranueshëm.
Aida Toncica: Më i miri se s’ka të tjerë PD-ja?
Shehi: Po sigurisht…
Aida Toncica: …Se i hoqi të gjithë të tjerët….
Shehi: Jo, këtë se them, kur të vish te LZHK-ja më pyet, ato janë çështje të brendshme